Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 834 gjoba për tejkalim të shpejtësisë gjatë periudhës 1–15 prill 2026, në kuadër të kontrolleve të shtuara në komunikacion.
Sipas njoftimit, masat janë ndërmarrë ndaj shoferëve që janë hasur duke qarkulluar me shpejtësi mbi normat dhe kufizimet e lejuara në rrugët e rajonit.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projekt-fushatës “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.
Policia ka apeluar tek shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të përshtatin drejtimin e automjetit me kushtet e rrugës, duke theksuar se pakujdesia në trafik mund të ketë pasoja fatale.
“Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz”, thuhet në apel.
Tutje bëhet e ditur se kontrollet policore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë, ndërsa ka theksuar se të dhënat e raportuesve trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/