Teatri Kombëtar i Kosovës ka shënuar zyrtarisht 80-vjetorin e themelimit të tij, duke rrumbullakuar tetë dekada të një historie të jashtëzakonshme të artit skenik. I krijuar fillimisht në Prizren në vitin 1946 dhe i zhvendosur më pas në Prishtinë, ky institucion ka qenë dëshmitar i epokave të lavdisë, brezave të artë të aktorëve, por edhe i periudhave të vështira të mbijetesës nën censurë e dëbim.
Tetë dekada histori, krijimtari dhe kontribut të pashlyeshëm në artin skenik u bënë bashkë në shënimin e 80-vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Rrugëtimi që nisi si institucioni i parë profesional i pasluftës në Prizrenin e vitit 1946, u shndërrua ndër vite në shtyllën kryesore të identitetit kulturor të vendit.
Në përvjetorë si ky, drejtuesit e teatrit dhe komuniteti artistik vënë në pah rëndësinë e këtij tempulli të artit, i cili ka shfaqur qindra premiera për miliona shikues.
Për të përjetësuar këtë moment historik, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim një emision të veçantë të pullave postare të titulluar "80 Vjetori i Teatrit të Kosovës".
Përmes tyre, historia e skenës shqipe, tradita dhe kontributi i qindra artistëve do të udhëtojë simbolikisht në mbarë botën, duke u shndërruar në një kujtesë të qëndrueshme filatelike.
Ky vit jubilar do të shoqërohet me aktivitete të shumta, të cilat do të kulmojnë në fund të vitit me një festë të madhe zyrtare dhe me përgatitjen e një monografie të veçantë.
“Festimi i 80-vjetorit vazhdon. Festa zyrtare do të mbahet nga data 20 deri më 23 dhjetor, kur edhe përmbyllet viti jubilar i 80-vjetorit të TKK-së. Njëkohësisht, do t’i paraprijë monografia e re e TKK-së, e cila tashmë është në vlugun e punës. Nuk besoj se do të arrijë të botohet e plotë sivjet, por puna po vazhdon dhe jemi të përkushtuar që të përgatisim një monografi të dinjitetshme të TKK-së, në nder të 80-vjetorit të tij”, tha Kushtrim Mehmeti, u.d. drejtor i TKK-së.
Tetëdhjetë vjet pas themelimit, Teatri Kombëtar mbetet pjesë e pandashme e historisë kulturore të Kosovës. Edhe pse përballë sfidave të kohës dhe restaurimit të pritshëm, historia e tij vazhdon të shkruhet përmes artistëve, veprave dhe publikut, të cilët brez pas brezi e kanë mbajtur të gjallë dhe të shenjtë lidhjen me skenën./rtk

