51 organizata shqiptaro-amerikane i kanë drejtuar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës dënojnë reagimin e qeverisë ndaj protestave në Shqipëri dhe kërkojnë hetime të pavarura ndërkombëtare për dhunën e pretenduar policore, lirimin e protestuesve të ndaluar dhe pezullimin e legjislacionit kufizues për tubimet.
Letra, e datës 17 nëntor 2026, është dërguar në 246 adresa, përfshirë Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Kongresin amerikan, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në dokument, organizatat kërkojnë që qeveria shqiptare të ndalojë menjëherë përdorimin e forcës ndaj protestuesve. Sipas tyre, policia ka përdorur plumba gome, ujë me presion dhe gaz lotsjellës, si dhe ka kryer arrestime masive dhe ka vendosur gjoba të rënda ndaj pjesëmarrësve në protesta.
Nënshkruesit theksojnë se protestat kishin vijuar për më shumë se katër muaj pa incidente madhore dhe se mungesa e dialogut mes qeverisë dhe qytetarëve ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
Ata kundërshtojnë gjithashtu legjislacionin e miratuar me akt normativ më 28 tetor, duke pretenduar se kufizon të drejtën për protestë dhe është miratuar pa debat parlamentar.
Në mesin e dhjetë kërkesave të paraqitura janë identifikimi i qartë i efektivëve të policisë, lirimi i personave të ndaluar vetëm për pjesëmarrje në protesta paqësore, mbrojtja e të miturve dhe hetimi i pavarur i rasteve të dhunës ndaj tyre.
Organizatat kërkojnë gjithashtu pezullimin e ligjeve të reja deri në shqyrtimin e tyre nga OSBE-ja dhe Komisioni i Venecias, ndalimin e ndëshkimeve pa vendim gjykate dhe publikimin brenda 30 ditësh të një raporti të plotë mbi veprimet e policisë.
Një tjetër kërkesë është përfshirja e mekanizmave ndërkombëtarë në monitorimin e situatës, si dhe dëmshpërblimi i personave që kanë pësuar dëme nga ndërhyrjet gjatë protestave. Në përfundim, 51 organizatat kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, me argumentin se kjo do të ndihmonte në rikthimin e besimit publik dhe hapjen e rrugës për reforma.
Letra u drejtohet gjithashtu institucioneve amerikane dhe evropiane, të cilave u kërkohet të hetojnë në mënyrë të pavarur shkeljet e pretenduara dhe rastet e korrupsionit, të mbrojnë SPAK-un nga ndërhyrjet politike dhe të përdorin mekanizmat diplomatikë për të kërkuar llogaridhënie. Bashkimit Evropian i kërkohet që këto çështje të përfshihen në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.
Organizatat nënshkruese shprehin mbështetje për studentët, arsimtarët, gazetarët dhe qytetarët që kanë marrë pjesë në protesta, duke i bërë thirrje që të vijojnë të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore.
Ato theksojnë se iniciativa është jopartiake dhe synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes demokratike, duke mohuar se është kërkuar, financuar apo drejtuar nga ndonjë qeveri ose parti e huaj.
Lista e plotë e 51 organizatave, letra në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe informacionet për ndihmë juridike falas për personat e prekur janë publikuar në faqen albanianswithoutborders.com. Letra mbetet e hapur për nënshkrime të tjera./Telegrafi/

