Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar të dhënat për shërbimet shëndetësore të ofruara gjatë javës së kaluar, ku janë realizuar mijëra vizita, analiza dhe procedura mjekësore.
Sipas të dhënave të publikuara nga spitali, gjatë kësaj jave kanë lindur 36 foshnje, prej të cilave 15 vajza dhe 21 djem.
Në kuadër të shërbimeve të tjera shëndetësore, janë realizuar 3,076 vizita specialistike dhe janë regjistruar 290 pranime të reja.
Mesatarisht, 163 pacientë kanë qenë të hospitalizuar çdo ditë, ndërsa 1,494 pacientë kanë kryer gjithsej 19,508 analiza laboratorike.
Gjatë javës janë kryer edhe 70 operacione dhe janë realizuar 233 seanca të dializës.
Sa i përket shërbimeve të imazherisë dhe diagnostikës, janë kryer 603 rëntgene, 349 ekzaminime me ultrazë (EHO), 130 ekzaminime me CT dhe 68 ekzaminime me MRI.
Po ashtu, janë realizuar 42 ekokardiografi, 17 ergometri, 18 gastroskopi dhe 12 kolonoskopi. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë kësaj jave nuk është kryer asnjë mamografi.
Në shërbimet fiziatrike janë realizuar gjithsej 268 shërbime, prej të cilave 203 procedura fiziatrike dhe 65 vizita në fizioterapi.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se vazhdon të ofrojë shërbime shëndetësore 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. /Telegrafi/