KORREKT / SOT2 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë gjatë vitit 2026, AGK kërkon drejtësi

33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë gjatë vitit 2026, AGK kërkon drejtësi

Me rastin e 2 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Dhënien Fund të Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet rastet e kërcënimeve, sulmeve dhe formave të tjera të dhunës ndaj gazetarëve dhe punonjësve medialë.

AGK-ja u ka kërkuar Policisë së Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve gjyqësore që të ndërmarrin hapa konkretë për hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave.

Sipas të dhënave të publikuara nga AGK-ja, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 53 raste të sulmeve dhe incidenteve ndaj gazetarëve, por vetëm 12 prej tyre figuronin në evidencat zyrtare të Policisë së Kosovës.

Situata ka vazhduar të jetë shqetësuese edhe gjatë vitit 2025, kur AGK-ja ka dokumentuar gjithsej 69 raste. Megjithatë, deri më 31 tetor të atij viti, vetëm për 12 raste kishte informacione zyrtare nga policia apo prokuroria.

“Ndërkohë, nga 1 janari deri më 31 tetor 2026, AGK-ja ka regjistruar 33 raste të tjera”, thuhet në njoftim.

Nga rastet për të cilat kishte informacione institucionale gjatë vitit 2025, dy kishin përfunduar me vendime dënuese, ndërsa dhjetë të tjera vazhdonin të ishin në procedurë.

AGK-ja ka vlerësuar se ekziston një hendek shqetësues ndërmjet numrit të incidenteve të raportuara dhe rasteve që marrin trajtim nga institucionet.

“Dallimet e mëdha ndërmjet evidencave, mungesa e të dhënave të harmonizuara dhe informacionet e kufizuara për ecurinë e procedurave e vështirësojnë vlerësimin e përgjigjes institucionale dhe të shkallës së pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagim.

Asociacioni ka evidentuar gjithashtu vonesa në trajtimin e rasteve, mungesë transparence për procedurat hetimore dhe gjyqësore, si dhe nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Shqetësim i veçantë, sipas AGK-së, mbeten kërcënimet serioze, sulmet fizike, ngacmimet e vazhdueshme dhe fushatat e organizuara të frikësimit ndaj gazetarëve, përfshirë sulmet me bazë gjinore ndaj grave gazetare.

Në këtë drejtim, AGK-ja ka kërkuar që institucionet kompetente të trajtojnë pa vonesa rastet e raportuara, të rishikojnë rastet e pazgjidhura nga vitet e kaluara dhe të sigurojnë hetime të pavarura dhe efektive.

Po ashtu, ka kërkuar publikimin e të dhënave periodike për rastet e raportuara, hetimet, aktakuzat dhe vendimet përfundimtare, si dhe ofrimin e masave mbrojtëse për gazetarët që përballen me kërcënime.

“Siguria e gazetarëve nuk mund të garantohet vetëm përmes reagimeve publike pas incidenteve. AGK-ja kërkon veprime të vazhdueshme institucionale, hetime efektive dhe vendime gjyqësore të bazuara në ligj”, theksohet në njoftim.

Në fund, Asociacioni ka rikujtuar se pandëshkueshmëria e sulmeve ndaj gazetarëve nuk cenon vetëm sigurinë e tyre personale dhe profesionale, por edhe lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

“Drejtësia për gazetarët e sulmuar nuk duhet të mbetet kërkesë e përsëritur çdo 2 nëntor, por përgjegjësi e përditshme e institucioneve të drejtësisë”, përfundon reagimi i AGK-së. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.