Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 302 gjoba gjatë muajit shtator ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.
Sipas Policisë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit vazhdon të përbëjë një nga faktorët që rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe mund të kontribuojë në shkaktimin e aksidenteve.
Gjatë shtatorit 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa ndaj 302 shoferëve që kanë shkelur këtë rregull.
Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen në drejtimin e automjetit dhe të shmangin përdorimin e telefonit apo çdo shpërqendrim tjetër gjatë vozitjes.
“Edhe një sekondë pakujdesie të përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve”, thuhet në komunikatën e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Policia ka ftuar qytetarët që të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Sipas Policisë, konfidencialiteti i të dhënave të qytetarëve që raportojnë shkeljet do të ruhet. /Telegrafi/