Sabah Kerjota ka folur për emocionet e tij pas ftesës nga Kombëtarja e Shqipërisë, duke e cilësuar këtë moment si një nga përjetimet më të veçanta në karrierën e tij.
Futbollisti 25-vjeçar, i cili aktivizohet te Hearts në elitën e futbollit skocez, ishte pjesë e grumbullimeve të Shqipërisë për ndeshjet e muajve shtator dhe tetor, por ende nuk ka arritur të debutojë me fanellën kuqezi, shkruan Indeksonline
Megjithatë, Kerjota shpreson që në grumbullimin e radhës të fitojë mundësinë për të treguar vlerat e tij dhe për të shfrytëzuar çdo minutë në dispozicion.
“Një emocion i papërshkrueshëm ftesa e Shqipërisë. Nuk di si ta shpjegoj. Nuk kam debutuar ende, por do të bëj më të mirën për të shfrytëzuar shanset e mia në grumbullimin e radhës. Jam stërvitur me lojtarë të cilët disa muaj më parë i shihja vetëm në televizor”, është shprehur Kerjota.
Për 25-vjeçarin, ftesa nga Shqipëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierë, ndërsa objektivi i radhës mbetet debutimi me Kombëtaren kuqezi./Indeksonline/

