Erblin Osmani ka hyrë në historinë e Kombëtares së Kosovës.
Talenti i Bayern Munichut, në moshën vetëm 17 vjeç, 4 muaj e 5 ditë, debutoi me fanellën e “Dardanëve”, duke u bërë lojtari më i ri në histori që luan për Kosovën.
Edhe pse u inkuadrua vetëm në minutat e fundit, Osmani arriti të lërë përshtypje të menjëhershme, aq sa përzgjedhësi Franco Foda e veçoi pas ndeshjes.
“Erblinin e kemi vendosur në minutat e fundit, e ka treguar veten shumë mirë në stërvitje. Është aset i rëndësishëm dhe e dëshmoi veten në ato pak minuta. Ka kryer detyrat me sukses”, deklaroi Foda.
Por Foda nuk u ndal me kaq. Përzgjedhësi i Kosovës e bëri të qartë se Osmani shihet si një nga emrat që mund të ketë rol të rëndësishëm në të ardhmen e “Dardanëve”.
“Është lojtar i të ardhmes për Kosovën”, përfundoi Foda.
Një debutim prej vetëm pak minutash, por një moment historik për 17-vjeçarin që tashmë ka hyrë në librat e historisë së Kombëtares./Telegrafi/