Komuna e Kamenicës ka nisur investime në përmirësimin e ndriçimit publik në qytet dhe në disa fshatra, me një vlerë totale prej 120 mijë eurosh.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se Drejtoria e Shërbimeve Publike po vazhdon punën në terren për rregullimin dhe zgjerimin e ndriçimit publik.
Sipas njoftimit të komunës, në kuadër të këtij investimi po punohet në 20 rrugë, me një gjatësi të përgjithshme prej 11,315.08 metrash.
Punimet po zhvillohen në disa lokalitete, përfshirë Berivojcën, Roganën, Novosellën, Kopërnicën dhe Hogoshtin.
Ndër rrugët ku po realizohen ndërhyrjet janë “Mehmet Shpendi”, “Besnik Maroca”, “Faik Konica”, “Beteja e Ushtrisë”, “Bekim Berisha Abeja”, “Rruga e Dardanëve”, “Rruga e Moçarit”, “Rruga e Malit”, “Rexhep Malaj” dhe “Sejdi Kryeziu”.
Po ashtu, punimet përfshijnë edhe rrugët “Shqipëria” – degëzimi 2, “Rexhep Qehaja”, “Musli Ymeri”, “Florim Kosumi”, “Iliria”, “Rruga e Dëshmorëve”, “Rruga e Blinajave”, “Savska”, “Vlaznim Bashkimi” dhe “Zukë Leci”.
Sipas kryetarit Rahimaj, investimet në ndriçimin publik synojnë përmirësimin e sigurisë, funksionalitetit dhe kushteve të jetesës për qytetarët në të gjitha lokalitetet e Komunës së Kamenicës. /Telegrafi/