KORREKT / SOT16 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

11 shkolla me ushtrues detyre dhe 24 mësimdhënës jo të profilizuar në Gjakovë – çfarë thonë nga Drejtoria e Arsimit

11 shkolla me ushtrues detyre dhe 24 mësimdhënës jo të profilizuar në Gjakovë – çfarë thonë nga Drejtoria e Arsimit

Dega e partisë Alternativa në Gjakovë ka ngritur shqetësime për gjendjen në arsim, duke kritikuar mungesën e investimeve, humbjen e orëve mësimore, zëvendësimin e mësimdhënësve dhe udhëheqjen e shkollave nga ushtrues detyre të drejtorëve.

Pas këtyre akuzave, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjakovë, përmes udhëheqësit të Sektorit për Arsim, Zymber Berisha, i ka thënë Telegrafit se humbja e orëve mësimore lidhet kryesisht me mungesën e kuadrit të kualifikuar, ndërsa ka konfirmuar se në vitin shkollor 2026/2027 janë angazhuar 24 mësimdhënës jo adekuatë në lëndë deficitare.

Mungesa e mësimdhënësve dhe humbja e orëve mësimore

Alternativa ka kritikuar organizimin e procesit mësimor në shkollat e Gjakovës, duke pretenduar se nxënësit po humbin orë mësimore dhe se zëvendësimi i mësimdhënësve që mungojnë nuk po bëhet me kohë.

Partia ka ngritur shqetësime edhe për rastet kur lëndët ligjërohen nga mësimdhënës që nuk kanë përgatitjen përkatëse profesionale.

“Si mund të flasim për arsim cilësor kur në raste të caktuara matematikën e ligjërojnë mësimdhënës të biologjisë, apo mësimdhënëse klasor?”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Në përgjigjen për Telegrafin, DKA-ja ka pranuar se ka raste kur lëndët mbahen nga mësimdhënës që nuk kanë kualifikimin përkatës, duke e arsyetuar këtë me mungesën e kandidatëve të kualifikuar për disa profile.

“Po ka raste, sepse siç thamë edhe më lartë nuk ka kandidat me kualifikime në matematikë, fizikë, histori dhe shumë lëndë profesionale për SHML-të”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se në raste të tilla, drejtoria përpiqet të sigurojë zhvillimin e procesit mësimor përmes angazhimit të kandidatëve nga lista e pritjes, me profile të përafërta.

“Në këto situata, Drejtoria e Arsimit përpiqet të gjejë zgjidhje përmes kandidatëve nga lista e pritjes me kandidat të përafërt, duke iu dhënë një kontratë pune me kohë të caktuar, por duke respektuar legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, mungesa e kandidatëve është veçanërisht e theksuar në lëndët matematikë, fizikë e histori, si dhe në disa profile profesionale në shkollat e mesme të larta.

DKA-ja konfirmon angazhimin e 24 mësimdhënësve jo adekuatë

Sa i përket zëvendësimit të mësimdhënësve që mungojnë, Alternativa ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet komunale, duke ngritur shqetësime për humbjen e orëve mësimore.

DKA-ja ka mohuar se bëhet fjalë për vonesa të qëllimshme, duke thënë se procedurat e punësimit dhe mungesa e kandidatëve të përshtatshëm janë ndër arsyet kryesore të vështirësive.

“Drejtoria e Arsimit nuk i konsideron këto raste si vonesa të qëllimshme, por si situata që lidhen me mungesën e kuadrit të përshtatshëm dhe me nevojën për respektimin e procedurave ligjore të punësimit”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se në vitin shkollor 2026/2027 janë angazhuar 24 mësimdhënës jo adekuatë në lëndë deficitare, përfshirë matematikën, fizikën, historinë, hotelerinë, energjetikën dhe disa lëndë të tjera profesionale në shkollat e mesme të larta.

“Janë 24 (njëzetekatër) mësimdhënës jo adekuatë që në vitin shkollor 2026/2027 nga shtatori janë angazhuar si mësimdhënës me kohë të caktuar në lëndë deficitare”, ka thënë ai.

Megjithatë, DKA-ja nuk ka dhënë një numër të saktë të rasteve aktuale kur nxënësit po humbin orë mësimore për shkak të mungesës së mësimdhënësve, duke theksuar se kjo duhet të përcaktohet përmes evidencave të përditësuara të shkollave.

11 shkolla me ushtrues detyre të drejtorëve

Një tjetër çështje e ngritur nga Alternativa është udhëheqja e institucioneve arsimore nga ushtrues detyre të drejtorëve për periudha të gjata.

Partia ka kërkuar sqarime për mënyrën se si po menaxhohen shkollat dhe kur pritet të zgjidhet kjo çështje.

Në përgjigjen për Telegrafin, DKA-ja ka bërë të ditur se nga 48 institucione arsimore të nivelit parauniversitar në Komunën e Gjakovës, 11 udhëhiqen nga ushtrues detyre të drejtorëve.

“Ju bëjmë të ditur që nga 48 IEAA-AP në Komunën e Gjakovës, 7 (shtatë) drejtorë janë në procedurë të vlerësimit të performancës për vazhdim të mandatit si dhe 11 (njëmbëdhjetë) janë UD. drejtorë, por me kompetenca të plota ligjore, sepse legjislacioni në fuqi parasheh një gjë të tillë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, disa procedura të konkurseve për drejtorë kanë dështuar për shkak se nuk kanë aplikuar kandidatë ose kandidatët nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore.

Berisha ka përmendur konkursin me numër 01.111/01-12550, të datës 16 mars 2026, për institucionet arsimore të nivelit parauniversitar, duke thënë se procedura kishte dështuar për disa shkolla.

Në mesin e institucioneve të përmendura janë gjimnazi “Asllan Berisha” dhe shkollat “Zenel Sadiku”, “Engjëll Gjoni”, “8 Dëshmorët”, “Emin Duraku”, “Shaban Golaj”, “Fehmi Agani”, “Yll Morina” dhe “Mazllum Këpuska”.

Sa i përket afatit për zgjidhjen e kësaj çështjeje, DKA-ja nuk ka dhënë një datë konkrete, por ka thënë se do të veprojë në përputhje me procedurat ligjore.

DKA-ja e vlerëson të mirë gjendjen infrastrukturore në shkolla

Alternativa ka kritikuar edhe gjendjen e infrastrukturës shkollore, duke kërkuar nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, dhe DKA-ja që të bëjnë publike masat konkrete për përmirësimin e kushteve në shkolla.

“Prandaj, kërkojmë nga kryetari Ardian Gjini dhe Drejtoria Komunale e Arsimit të dalin para qytetarëve me përgjigje konkrete, të bëjnë publike masat që do të ndërmarrin dhe të paraqesin një plan të qartë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, organizimin e procesit mësimor dhe menaxhimin e institucioneve arsimore”, thuhet në reagimin e partisë.

Në anën tjetër, DKA-ja ka vlerësuar se gjendja infrastrukturore në shkollat e komunës është përgjithësisht e mirë, por ka pranuar se në institucione të caktuara ekzistojnë nevoja dhe sfida.

“Në përgjithësi, gjendja infrastrukturore në 48 IEAA-AP të Komunës së Gjakovës vlerësohet e mirë. Kjo nuk nënkupton se nuk ka nevoja apo sfida në institucione të caktuara”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se drejtoria është duke i trajtuar kërkesat e shkollave dhe ka ndërhyrë në rastet kur është vlerësuar e nevojshme, ndërsa ka bërë të ditur se janë planifikuar investime të reja për përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe personelin arsimor.

Sa i përket ngrohjes, Berisha ka deklaruar se shkollat në qytet kanë sisteme individuale ose furnizohen nga ngrohtorja e qytetit, ndërsa në fshatra 99 për qind e shkollave kanë ngrohje qendrore individuale.

Alternativa kërkon llogaridhënie, DKA-ja thotë se vepron sipas ligjit

Alternativa ka kërkuar nga institucionet komunale të japin përgjigje konkrete për problemet e ngritura dhe të paraqesin plan të qartë për përmirësimin e arsimit në Gjakovë.

Nga ana tjetër, DKA-ja i ka arsyetuar vështirësitë në procesin mësimor me mungesën e kuadrit të kualifikuar, ndërsa ka thënë se angazhimi i mësimdhënësve dhe emërimi i drejtorëve duhet të bëhen duke respektuar procedurat ligjore.

Përgjigjet e DKA-së konfirmojnë se në shkollat e Gjakovës ka raste të angazhimit të mësimdhënësve pa kualifikimin përkatës dhe se 11 institucione udhëhiqen nga ushtrues detyre të drejtorëve. Megjithatë, drejtoria nuk ka dhënë afate konkrete për zgjidhjen e çështjes së drejtorëve dhe as një numër të saktë të rasteve aktuale të humbjes së orëve mësimore.

Ndërsa për infrastrukturën, qëndrimi i DKA-së dallon nga kritikat e Alternativës, pasi drejtoria e vlerëson gjendjen e përgjithshme si të mirë, duke pranuar njëkohësisht se disa shkolla kanë nevojë për ndërhyrje.

Deri në publikimin e këtij lajmi, në përgjigjet e siguruara për Telegrafin nuk është përfshirë një qëndrim i drejtpërdrejtë i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, lidhur me akuzat e Alternativës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.