Kupa e Botës 2026 premton spektakël që nga dita e parë. Formati i ri me 48 kombëtare dhe 12 grupe e bën çdo ndeshje edhe më të rëndësishme, ndërsa disa prej dueleve më të mëdha do të zhvillohen shumë përpara fazës së eliminimit direkt.
Nga përballja mes Brazilit dhe Marokut, te dueli i kampionëve të Evropës, Spanjës, me Uruguain, këto janë 10 ndeshjet që tifozët nuk duhet t’i humbasin në fazën e grupeve.
1. Holanda – Japonia
14 qershor | Grupi F | Houston
Japonia ka dëshmuar se mund të tronditë çdo favorit. Gjermania dhe Spanja e mësuan këtë në Botërorin 2022, kur u mposhtën nga aziatikët. Holanda mbetet favorite falë cilësisë individuale, por përballë një skuadre që kundërsulmon me shpejtësi dhe disiplinë, asgjë nuk do të jetë e lehtë.
2. Brazili – Maroku
14 qershor | Grupi C | New York/New Jersey
Një nga supersfidat e para të Kupës së Botës 2026 përfundoi pa fitues. Maroku, gjysmëfinalisti i Botërorit 2022, tregoi edhe një herë pse konsiderohet një nga skuadrat më të vështira për t’u mposhtur, duke i ndalur brazilianët në një barazim 1-1.
Nga ana tjetër, Brazili i drejtuar nga Carlo Ancelotti shfaqi potencialin e madh ofensiv, por hasi vështirësi për të çarë organizimin taktik të marokenëve. Përballja rezultoi një duel interesant mes kreativitetit brazilian dhe disiplinës mbrojtëse të Marokut, duke konfirmuar se të dyja kombëtaret mund të luajnë rol të rëndësishëm në vazhdim të turneut.
3. Franca – Senegali
16 qershor | Grupi I | New York/New Jersey
Një përballje që rikthen kujtimet e vitit 2002, kur Senegali tronditi botën duke mposhtur Francën në ndeshjen hapëse të Botërorit.
Edhe pse francezët janë favoritë, afrikanët mbeten një kundërshtar i rrezikshëm që mund të shkaktojë sërish surprizë.
4. Anglia – Kroacia
17 qershor | Grupi L | Dallas
Një ribashkim me historinë. Kroacia i dha fund ëndrrës angleze në gjysmëfinalen e Botërorit 2018 dhe tani “Tre Luanët” kërkojnë revanshin. Anglia ka më shumë thellësi në skuadër, por kroatët njihen për aftësinë e tyre për të menaxhuar ndeshjet e mëdha.
5. Gjermania – Bregu i Fildishtë
20 qershor | Grupi E | Toronto
Skuadra e Julian Nagelsmann do të përballet me një kundërshtar shumë fizik dhe të rrezikshëm në tranzicion.
Afrikanët kanë treguar forcën e tyre duke mposhtur në miqësore Francën dhe Skocinë, ndërsa Gjermania do të testojë ambiciet e saj reale për titull.
6. Argjentina – Austria
22 qershor | Grupi J | Dallas
Një duel stilesh krejtësisht të kundërta.
Kampionët në fuqi kërkojnë kontroll përmes posedimit, ndërsa Austria e Ralf Rangnick synon kaos të organizuar përmes presionit intensiv. Takim me interes të madh taktik.
7. Zvicra – Kanadaja
24 qershor | Grupi B | Vancouver
Ndoshta jo ndeshja më e bujshme në letër, por potencialisht një nga më dramatiket.
Kanadaja do të ketë mbështetjen e tifozëve vendas, ndërsa Zvicra vjen me përvojën e saj tradicionale në turnetë e mëdhenj. Mund të vendosë kreun e grupit.
8. Norvegjia – Franca
26 qershor | Grupi I | Boston
Kur përmenden Erling Haaland dhe Martin Odegaard përballë yjeve francezë, spektakli është pothuajse i garantuar.
Norvegjia ishte skuadra më efikase në kualifikimet evropiane dhe mund të shndërrohet në një nga surprizat më të mëdha të turneut.
9. Uruguai – Spanja
27 qershor | Grupi H | Guadalajara
Një duel që shumë e konsiderojnë si ndeshjen më të fortë të gjithë fazës së grupeve. Spanja e Luis de la Fuente dominon me posedim dhe kontroll, ndërsa Uruguai mbështetet te agresiviteti dhe presioni i vazhdueshëm. Një përplasje filozofish futbolli.
10. Kolumbia – Portugalia
28 qershor | Grupi K | Miami
Një sfidë që mund të ketë peshën e një ndeshjeje eliminatore.
Portugalia ka më shumë cilësi individuale, por Kolumbia njihet për organizimin dhe karakterin e saj. Me shumë gjasa, kjo ndeshje do të vendosë fituesin e grupit.
Ndeshje që mund të përcaktojnë kampionin e ardhshëm
Faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 nuk do të shërbejë thjesht si një hyrje për fazën me eliminim direkt.
Për shkak të formatit të ri, renditja finale në grup mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën drejt finales.
Një fitore në këto përballje mund t’i sigurojë një favoriteje një kalendar më të lehtë në raundet e ardhshme, ndërsa një humbje mund ta detyrojë të përballet me rivalë të mëdhenj që në fazat e hershme të eliminimit.
Për këtë arsye, disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të Botërorit 2026 do të luhen shumë përpara se të nisë faza nokaut. /Telegrafi/
